Kthimi!

Nuk do të duhej të ishte kthimi në vendlindje si një metaforë përvëlimi ndjenjash. Do të duhej të ishte vendim i thjeshtë, i marrë në minutat kur as vetë nuk e dije se pse do të vinte ajo ndjenjë në kokë. Një moment i rëndësishëm, ndoshta me arsye ose pa arsye, një vendim që do të duhej të merrej. Nuk mund të thuash që nuk e di pse e ke marrë atë vendim. Nuk mund të hamendësh se PËRSE nuk e ke marrë këtë vendim dikur më herët ose ta lësh për pak më vonë. Kjo nuk ka shumë rëndësi. Nuk ka rëndësi as ideja që ti i ke lënë anash të gjitha, dhe ke vendos të kthehesh në vendlindje, plot pas më shumë se dyzet vitesh.
Të kujtohet koha kur e kishe lënë vendin tënd për herë të fundit. Ishte viti njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e gjashtë. Kishte rënë borë shumë. Ftohti kishte depërtuar në palcën tënde, nën lëkurën e hollë të një tetëmbëdhjetëvjeçari që nuk e kishte as idenë se nga po ia mbathte. Huh, nuk kishe përfundu ende gjimnazin dhe nga eksitimi i madh që kishe nga të lexuarit e një reviste të rock muzikës, ta kishte mbushur mendjen që ti do ia dalësh. Që ti do të duhej të dilje jashtë vendit, sepse vetëm atje mund të mbretëroje mendjen tënde e do të mund të arrije krejt ato që i mendoje natën vonë, i shtrirë në krevatin e babait tënd, që ta kishte kaluar ty, në dhomën e ngushtë ku flinin ti e dy motrat tua. Lidhje duart mbrapa koke dhe si i përfjetur, shikoje nga dritarja, gjatë verave të nxehta, vjeshtave me shi e dimrave me borë e të ftohtë, se si yjet në largësinë e qiellit po të binin ty si njëfarë lloji të sehirit të mirë.
Ato netë kishe vendosur që të dilje krejt cullak në mes të oborrit kur mbi borën e ftohtë si një batanije e pafund, kishte filluar të binte shi, e ty, në mendje të kishte ardhur një ndjenjë kënaqësie e gëzimi e pashpjegueshme. Ia kishe mbushur mendjen vetes që diqysh, do ia dalësh. Sepse nuk ka asgjë që të ndalon. Atyre ditëve, ti nuk mendoje për anëtarët tjerë të familjes tënde. Sepse ata nuk ishin të rëndësishëm për gjendjen tënde, për ato që i mendoje. Për planet tua që i kishe në mendje e që nuk i ndaje me askënd.
Nuk kishte rëndësi. Çka ishte vendimtare dhe mbresëlënëse, ishte që ti do të duhej të kishe plane për të dalë jashtë vendit. Që ti do të kishe ide dhe aspirata. Ëndrra për të cilat, ndoshta as familja jote nuk i dinte e nuk donte t'i dinte, sepse do të ishte tepër e dhimbshme për ta, që ti t'u ikje atyre nga duart. Sepse fundi i fundit, ti ishe i nevojshëm për ta.
Tash e ke marrë vendimin dhe duhet t'i qëndrosh fort dhe qëndrueshëm vendimit që ke marrë. Asnjë kthim në asnjë moment, në asnjë rrethanë, në asnjë vend a shoqëri, nuk është i lehtë. Ti do t'i shpëtosh asaj ndjenjës që të mbulon mendjen nganjëherë e që është ndjenja e pishmanit. Ke kohë sa të duash të mendosh për momente të tilla edhe për pishmanin, por ama atë moment që ti ke vënë pasaportën në xhepin e brendshëm të setrës tënde, ke mbledhë rrobat dhe me valixhen e Umbros ke dalë nga shtëpia për në taksi në drejtim të aeroportit, huh, prej atij momenti, ti shndërrohesh në diçka tjetër. Ti je dikush tjetër. Ti nuk mund ta konsiderosh veten si njeri normal. Si njeri që nuk mendon njerëzishëm, sepse nuk je ai ti që gjithnjë ke mendu se ishe - një mrekulli e botës, i mbështjellur me muskuj e flokë të thira, mendje të shëndoshë e sy të zi që të vizgëllojnë nga distancat e konsiderueshme femërore por që kurrë nuk dështon së impresionuari. Ai njeri nuk je ti më. Ti je diçka tjetër. Ti je njeriu i ri i cili përpëlitet të zgjidhë probleme të vogla në një krizë shoqërore e rrethanore të madhe. Huh, ti nuk i përgjigjesh krizës. Ti nuk e do atë. Ti nuk di si t'i përgjigjesh asaj edhe nuk e kupton pse-në e këtij vakumi kohor. Ti vazhdon të sfidosh edhe gjënë më të vogël e që do të ishte synimi për të mbetë i gjithëm artueshëm, baba besnik, burrë i dashuruar, komshi i respektuar e punëtor i mirë.
Ti morre vendimin për të ikë për së dyti nga shtëpia e dytë, e ndërtuar me mund e djersë, sikurse nuk të bënte përshtypje hiç. Të kujtohet, gjatë udhëtimit tënd me tren në rrugën drejt aeroportit të Gjenevës, që në njërën pjesë të mendjes tënde, pishmani prekte më shumë beben e vogël, më pak se njëvjeçare që kishe lënë me Antonellën nga Venezuela. E kishe lënë atë shtatzënë nga një aksident dashuriçkeje që kishe pasë me të e që nuk i kishe treguar ende bashkëshortes tënde Lorijes, e cila për më shumë se tridhjetë e pesë vite, kishte qenë njeriu i vetëm që kurrë nuk të kishte kuptuar e nuk të dinte se kush je. Erisa, bebeja e vogël ishte shumë e vogël për të kuptuar impaktin e ikjes tënde. Ti me kast ike tash, sepse e dije që kur Erisa të bëhej dy a tre vjeçare, ti do ta kishe shumë të vështirë t'i shpëtoje dashurisë së saj të thellë, ngrohtësisë së ndjeshme të një foshnje që mbartte me vete gjakun tënd, gjenet tuaja dhe deri diku edhe pamjen tënde.
Ti nuk mund ta përballoje këtë. Erisa ishte shumë e vogël që të mësohej me fytyrën tënde përditë. Harro Antonellën, ajo nuk ishte gjë tjetër veç një mish i përdorshëm që të kishte ndihmuar ty të çfryheshe e të ndjeheshe mirë për disa minuta e çlirim çasti të sekondshëm. Të kujtohet edhe ai momenti kur gjithçka kishte shpërthyer brenda teje, dhe pasi kishe parë Antonellën që kishte veshur një fustan të shkurtër mini me ngjyrë të kuqe, felet e saja ishin shumë të këndshme për t'u injoruar. Ti nuk ishe ai lloj i njeriut që do ta injoroje këtë kafshatë të mirë, këtë shans të papërsëritshëm. Ju vërsule asaj duke i thënë se sa e bukur ishte dhe se do të jepje gjithçka që kishe për të kaluar një natë të këndshme me të, që ta njihje më mirë. Të gjitha të kujtohen, sepse rruga nga apartamenti yt deri te aeroporti nuk ishte edhe e shkurtër, por ama ta jepte shansin të bëje çmos që të ndjeheshe i lirë. U ndjeve i lirë, sepse tash po ktheheshe në vendlindjen tënde. Nga aty ku morre hapat e parë dhe nga aty ku vëzhgimet e pandalshme në dritaren e ditëve të nxehta, atyre me shi dhe borë, tashmë do ju ktheheshe me vrull të ri, me entuziazëm më të madh. Me vullnet që do të vijë ty për nga buza e nga ku ti do merrje mësime të reja, e ndoshta edhe vajzë të re, dashuri të re. Lorija nuk ishte më në mendjen tënde, as Elidoni e as Maria, dy fëmijët tuaj që ishin pranë teje aq shumë sa ishin edhe larg teje. Ti, tash po kthehesh. Edhe disa minuta, rrotat e avionit prekin aeroportin e Prishtinës dhe ti kthehesh.


Comments